Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seancë solemne e Kuvendit në nderim të komandantit Ilaz Kodra

02.05.2024

Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti sot seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë. Pas intonimit të himnit shtetëror dhe kombëtar, deputetët në nderim të heronjve dhe martirëve të rënë për liri mbajtën një minutë heshtje. 

Me pas nga një fjalë rasti mbajtën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, njëherësh drejtues i seancës, si dhe deputetë të grupeve parlamentare (Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK). 

Presidentja Vjosa Osmani, fillimisht tha se 25 vjet më parë fshatrat Vërbovc, Tërstenik, Dashec, Baks e Gllobar u ndodhën në egërsinë e regjimit gjenocidal të Serbisë  në një ofensivë, e cila kishte vetëm një qëllim, shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik. Presidentja Osmani tha se banorëve të këtyre fshatrave në mbrojtje iu vu UÇK-ja në krye me heroin Ilaz Kodra dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët me trimëri e guxim rezistuan deri në flijim. 

“Bashkëluftëtari i komandantit Adem Jashari, Ilaz Kodra në këtë përpjekje për mbrojtje të popullsisë civile dhe për mbrojtje të Kosovës nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, ra heroikisht në fushëbetejë së bashku me 42 luftëtarë të UÇK-së. Heroi Ilaz Kodra ndoqi idealin e komandantit legjendar, Ademit, duke e konsideruar lirinë si vlerë të panegociushme dhe sublime të popullit të tij ndaj edhe u përjetësua”, tha presidentja Osmani, duke shtuar se Ilaz Kodra ashtu siç e nisi aktivitetin e tij patriotik edhe e përfundoi, duke mbrojtur identitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar. 

“Kauza e tij ishte liria, ndaj ai ra për liri dhe shtet. Heronjtë na frymëzojnë çdo ditë për të ecur përpara. Falë Ilaz Kodres dhe dëshmorëve të UÇK-së jemi në shtëpinë tonë dhe në Republikën tonë, shtet të pavarur dhe sovran”, theksoi presidentja Vjosa Osmani.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë fjalës së tij tha se jemi mbledhur sot në këtë seancë të veçantë për ta nderuar e vlerësuar edhe një herë figurën kombëtare të heroit të Kosovës, komandantit Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij heroike për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. 

“Heroi Ilaz Kodra është ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i përket bërthamës themeluese të kësaj ushtrie të lavdishme, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. I rritur e formësuar në frymën kombëtare e patriotike që në rininë e tij, Ilaz Kodra nuk kishte asnjë iluzion se Kosova mund të çlirohej nga Serbia pa luftë të armatosur. Prandaj, pikërisht për këtë arsye u bashkua me Adem Jasharin, Hamëz Jasharin, Zahir Pajazitin e të tjerë, në njësitin e parë ushtarak që ishte bërthama e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryeparlamentari Konjufca, duke shtuar se kontributi i komandantit Ilaz Kodra për organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare është i hershëm, sikurse pjesëmarrja e tij në luftë e nëpër shumë aksione të pandalshme, deri kur ra në altarin e lirisë, më 30 prill të vitit 1999, në mbrojtje të popullatës civile.

Kreu i Kuvendit shtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kapitulli më i ndritur i historisë sonë të shekullit XX-të, ndërkaq Drenica me luftëtarët e saj i dha historisë heronjtë dhe dëshmorët, jeta dhe vepra e të cilëve është frymëzim për ne dhe brezat që do t’i lëmë pas. 

“Me 30 prill, do t’i kujtojmë e do t’i nderojmë të masakruarit nga forcat serbe këtu e  25 vite më parë në Gllobar, Verboc, Shtuticë e nëpër shumë fshatra të tjera të Drenicës. Serbia nuk i kurseu civilët, ata gjithmonë ishin caku i saj, sepse Serbia e donte Kosovën pa shqiptarë, të spastruar etnikisht. Prandaj lufta e saj ishte gjenocidale, sepse ajo vrau fëmijë, gra e pleq. Gjaku i këtyre të pafajshmëve kurrë nuk do të falet dhe kurrë nuk do të harrohet nga ne, por do ta kujtojmë Serbinë si kriminale dhe gjenocidale, e cila ende nuk është penduar dhe nuk e ka ndryshuar orientimin dhe kursin e saj politik”, tha Konjufca, duke përmendur në vijim edhe masakren e 116 shqiptarëve në Studime, pikërisht më 2 maj. 

Kryeministri Albin Kurti tha se jemi mbledhur në Kuvendin e Kosovës që nga ky vend t’i përkujtojmë dhe nderojmë 315 dëshmorë dhe martirë të rënë për lirinë e Kosovës para 25 vitesh, më 30 prill të vitit 1999, në Drenicë, për ta kujtuar luftëtarin e paepur të lirisë, Ilaz Kodrën, bashkëluftëtarin e Adem Jasharit dhe një nga të parët e grupeve të armatosura që i hodhën themelet mbi të cilat u ngrit UÇK-ja. 

“Ilaz Kodra u aktivizua politikisht qysh gjatë rinisë së tij të hershme, duke marrë pjesë në demonstratat popullore më 1981, 1988, 1989 dhe 1990, kundër shtypjes politike dhe diskriminimit të shqiptarëve nga pushteti i Serbisë. Në nëntor të vitit 1991, Ilaz Kodra së bashku me Fadil Kodrën, Adem Jasharin, Murat Jasharin dhe Sahit Jasharin, iu bashkuan grupit të dytë të vullnetarëve që u stërvitën ushtarakisht në Shqipëri nga oficerët e armatës shqiptare. Atë kohë, Ilazi ishte 25 vjeç. Pas kthimit të tyre në Prekaz, kur policia e Serbisë kreu sulmin e parë ndaj familjes së Shaban Jasharit në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, Ilazi ishte ndër ata që bashkë me shokë rezistuan me armë atë ditë”, theksoi kryeministri Kurti. 

Ai shtoi se pas rënies së Fehmi Lladrovcit, Ilaz Kodra e mori komandën e Brigadës 114, në krye të së cilës më 8 nëntor 1998 në fshatin Shkabaj, pikërisht pranë varrit të Fehmi Lladrovcit, ai drejtoi betimin e ushtarëve të Batalionit të Parë të Brigadës 114. 

“Në këto kohë, në një intervistë për një televizion gjerman, Ilaz Kodra ishte shprehur qartë dhe me vendosmëri me këto fjalë: ‘Ne luftojmë që okupatorin serb ta përzëmë nga trojet tona. Populli shqiptar duhet të vendosë vet për fatin e tij. Nëse të gjitha metodat e tjera diplomatike do të dështojnë, ne do të veprojmë me metoda tjera për çlirimin e Kosovës. Ne do të luftojmë sepse jemi në vendin tonë dhe këtu do të vdesim. Jeta është më e çmuara dhe nuk ka më të çmuar se jeta, por vetëm liria është më e shtrenjtë se jeta. Dhe ne jemi në gjendje me dhanë edhe jetën për liri’”. 

Deputeti Gani Krasniqi (VV) gjatë fjalës së tij tha se dhimbja për humbjen e tyre ishte e madhe, por vendosmëria për të vazhduar rrugëtimin për liri, ishte e pathyeshme për çdo pjesëtar të UÇK-së. Krasniqi theksoi se sikurse çdo pjesëtar i celulave të para të UÇK-së, Ilaz Kodra u bë shembull se si duhet të jetë luftëtari i lirisë. 

“Ai ishte kudo, në organizime e aksione. Ilaz Kodra i takon gjeneratës së parë, i cili pas rezistencës paqësore të kalojë në veprim ilegal dhe veprime aktive në rezistencë, duke dëshmuar se okupatori nuk ka vend në Kosovë dhe se ai do të shporret nga këtu vetëm përmes grykës së pushkës”, tha deputeti Krasniqi, duke shtuar se Kodra mori pjesë në formimin dhe forcimin e operativës së UÇK-së,  përkrah Adem Jasharit dhe shokëve të tij çlirimtarë dhe se heroizmi i tij e bëri atë që të komandojë me shumë sukses Brigadën 114, sikurse komandanti pararendës, Fehmi Lladrovci. 

Ndërkaq, deputetja Blerta Deliu Kodra (PDK), tha se duke nderuar figurën e Ilaz Kodrës, së bashku me 315 martirë e dëshmorë të rënë në Drenicë, ne përkujtojmë një epokë që formëson dhe lartëson krenarinë tonë kombëtare. 

“Ilaz Kodra iu përgjigj thirrjeve të para për liri, krah për krah heroit Adem Jasharit. Komandanti Ilaz Kodra luftoi për të çliruar shpirtin e Kosovës, që më pas çdo fëmijë të jetojë pa frikë dhe në liri”. 

Këtë deputetja Deliu Kodra e përshkroi me leximin e një letre të vajzës së Ilaz Kodrës, Krenares, e cila ia kishte kushtuar të atit. Pas leximit të kësaj letre, Deliu Kodra tha se kjo është e vërteta e luftës sonë çlirimtare, e heronjve tanë të luftës, duke përmendur me këtë rast edhe Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimi, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë. 

“Ju detyrohemi të gjithë heronjve që të krijojmë një shtet të drejtë dhe të sigurt, që të respektohet dinjiteti i secilit. Të vendosim shtetin para pushtetit. Heronjtë dhe martirët tanë u prehshin në paqe”, tha deputetja Deliu Kodra.

Deputeti Arben Gashi, (LDK) tha se sot po kujtojmë një ngjarje të jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha rikujtojmë historinë tonë. Gashi vlerësoi se Drenica me heroizmin e saj është pjesë e pashmangshme e historisë së Kosovës dhe se ishte frymëzim për të gjithë shqiptarët, ndërkaq paraqiti një cikël ngjarjesh historike, që nga viti 1945 e tutje. 

Gashi tha se derisa përgatitja politike po shkonte drejt njohjes ndërkombëtare të çështjes së Kosovës, në të njëjtën kohë bëheshin përgatitjet ushtarake dhe organizimet në territorin e Kosovës, përgatitje për aktin final, e cila duhej të ishte liria e Kosovës. Kjo përgatitje e ky aktivitet ushtarak triumfuan me Ilaz Kodrën.  

“Ne e kemi obligim para secilit qytetar dhe para secilit dëshmor e hero,  që të japim kontributin tonë. Heronjtë i nderojmë duke ruajtur tërësinë territoriale të Kosovës, përmes mbrojtjes së identitetit tonë dhe me zhvillimin e vendit tonë.  Gjunjëzohemi para secilit hero, familjar e qytetar që të ruajmë demokracinë dhe ta kultivojmë e zhvillojmë Kosovën“, tha deputeti Gashi.

Deputetja Time Kadriaj (AAK) tha se çdo përkujtim është i mbushur me lavdinë e dëshmorëve e martirëve.  

“Kur kujtojmë rënien historike të Ilaz Kodrës lartësojmë sakrificën e ushtarëve për liri. Komandanti Ilaz Kodra ngriti dhe e barti ndër breza flamurin e lirisë, bashkë me lavdinë dhe emrin e Xhevë e Fehmi Lladrovcit”, tha Kadriaj, duke shtuar se Ilaz Kodra është figura më ikonike e luftës për liri dhe shëmbëlltyra më e rrallë se si duhet liria dhe se tanimë gjeneratat e reja po rriten me lavdinë e heronjve dhe ushtarëve të UÇK-së.

Të pranishëm në këtë seancë ishin edhe familjarë të heroit Ilaz Kodra, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtuesit e pushtetit lokal në këtë komunë.