Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

30.11.2021

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga Bekë Berisha, kryetar i komisionit, raportoi kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj.
Me këtë rast, Hodaj fillimisht shpalosi aktivitetet kryesore të IPK-së, ndërkaq, foli edhe lidhur me sfidat dhe pengesat gjatë ushtrimit të mandatit të tij, si dhe për zbatimin e rekomandimeve të auditorit dhe për një sërë çështjesh tjera që ngritën anëtarë të Komisionit. 
Hodaj tha se ka pasur 30 për qind më shumë ankesa të qytetarëve krahasuar me vitin paraprak dhe se është zhvilluar një numër i madh i hetimeve. Sipas tij ka rritje të rasteve të suspendimeve dhe arrestimeve të zyrtarëve policorë. Në vijim, ai sqaroi se ka pasur 1.862 ankesa të qytetarëve, prej tyre 62 kallëzime penale, ndërkaq janë rekomanduar 78 suspendime. Ndërsa, sqaroi se janë arrestuar 31 zyrtarë policorë.
Anëtarët e Komisionit kërkuan sqarime të shumta nga Hodaj, me theks të veçantë rreth çështjes së aksionit në Karaqevë, çështjen e rrjedhës së informacionit, si dhe për suspendime e emërime në këtë institucion.