Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

30.11.2021

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja, mbajti sot mbledhjen e radhës.

Para se të fillojë shqyrtimi i pikave të rendit të ditës, kryetari Muja njoftoi se anëtar i ri i Komisionit do të jetë Ferat Shala nga radhët e PDK-së, i cili zëvendëson anëtarin e deritanishëm të këtij Komisioni, Bedri Hamza.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e raportit vjetor të Komisionit për Ndihmë Shtetërore për vitin 2019 dhe 2020, të cilat para deputetëve i prezantoi kryesuesja e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, Fortuna Haxhikadrija.

Në prezantimin e saj, Haxhikadrija tha se Komisioni për Ndihmë Shtetërore pas formimit dhe konsolidimit ka filluar punën sipas rekomandimeve që dalin nga legjislacioni i BE-së.

Pas prezantimit, kryesuesja e Komisionit për Ndihmë Shtetërore u përgjigj në pyetjet e anëtarëve të e Komisionit në lidhje me raportet vjetore të KNSH.

Me propozim të kryetarit Armend Muja, votimi i raportit vjetor të Komisionit për Ndihmë Shtetërore 2019 dhe 2020 u shty për mbledhjen e ardhshme.

Komisioni vijoi mbledhjen me shqyrtimin e raportit me amendamente të Komisionit Funksional për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, për Projektligjin nr.08/L-036 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Komisioni konstatoi se amendamenti i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit nuk ka kosto buxhetore dhe i njëjti me shumicë votash rekomandohet për procedim të mëtutjeshëm.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e raportit me amendamente të Komisionit Funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për Projektligjin nr.08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme.

Ky raport me amendamente u hodh në votim dhe mori mbështetje nga të gjithë anëtarët e Komisionit.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere formoi sot grupin punues lidhur me Projektligjin nr.08/L-066 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, në përbërje Eman Rrahmani kryesues i grupit, ndërsa Jeta Statovci, Ferat Shala, Pal Lekaj dhe Verica Çeraniq, anëtarë.