Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

21.07.2021

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetarja e Hykmete Bajrami, shqyrtoi dy raporte të auditimit, atë për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për vitin 2020, si dhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të K.R.U.”Hidroregjioni jugor” Sh. A. Prizren, po ashtu për vitin 2020. 

Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2020, kryetarja Bajrami sqaroi se raporti është me opinion të kualifikuar dhe se ka shumë të gjetura në këtë institucion, duke kërkuar njëherazi nga ministri Sveçla që t’i adresojnë këto të gjetura dhe të kenë Planin e Veprimit për zbatim të rekomandimeve, meqë sipas saj janë evidentuar shumë shkelje ligjore. 

Deputetja raportuese, Mirlinda Sadiku, anëtare e Komisionit, numëroi radhazi të gjeturat në këtë ministri bazuar në gjetjet e auditorit, duke përmendur të gjitha rekomandimet e auditorit. Me theks të veçantë, ajo përmendi disa nga të gjeturat, si: planifikimi jo i drejtë i buxhetit, tejkalimi i kontratave, dobësitë në projekte, mosrealizimi i projekteve brenda afatit kohor, etj.

Ministri Sveçla gjatë raportimit të tij lidhur me këtë,  tha se janë të shqetësuar shumë për këto të gjetura dhe se janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e auditorit. 

“Gjetjet qëndrojnë dhe zotohem se do t’i adresojmë rekomandimet dhe se do të përmirësohet gjendja”, tha ministri Sveçla, duke dhënë tutje një kronologji rreth këtyre të gjeturave. 

Ai pranoi se gjatë atij viti, ka pasur keqmenaxhim dhe keqpqërdorim të buxhetit dhe mangësi në sistemin e e-pasurisë dhe se tashmë, sipas tij, janë adresuar të gjitha të gjeturat, duke folur më gjerësisht rreth veprimeve që kanë ndërmarrë përmes Planit të Veprimit. 

"Do të ndërmarr masa ndaj personave përgjegjës si dhe operatorëve ekonomikë”, tha mes tjerash ministri Sveçla, duke dhënë përgjigje në vijim në të gjitha çështjet dhe shqetësimet që u paraqitën nga anëtarë të komisionit.

Pas shterimit të diskutimit, Komisioni përkrahu rekomandimin që u paraqit nga anëtarja e Komisionit, Mirlinda Sadiku, ndërsa raporti nuk mori mbështetjen e Komisionit për procedim në seancë.

Komisioni, në vijim shqyrtoi edhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të K.R.U.”Hidroregjioni jugor” Sh. A. Prizren, duke diskutuar në vijim me përfaqësues prezentë të kësaj kompanie, lidhur me të gjeturat e auditorit, rekomandimet dhe adresimin e tyre.