Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë

05.05.2021

Sot, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i drejtuar nga Haki Abazi, kryetar, mbajti mbledhjen e radhës në të cilën për të raportuar lidhur me vizitën në Bruksel ishte i ftuar zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Kryetari Abazi theksoi se kjo mbledhje është thirrur me qëllim që komisioni të mbahet në vazhdimësi i informuar për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi ynë, duke u fokusuar te dialogu dhe vizita e fundit në Bruksel. 

“Dialogu përbën çështjen thelb të problematikës me të cilën Kosova është ballafaquar që nga viti 2011, dialog ky i cili është zhvilluar me shumë vështirësi nëpër faza të ndryshme, si rezultat i mungesës së materialeve të detajuara nëpër të cilat ka kaluar ky proces”, theksoi Abazi.

Sa i përket vizitës dhe takimeve në Bruksel, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se për këtë çështje ka përgatitur një raport me shkrim, i cili jep informacione për të gjitha zhvillimet, duke theksuar se takimet me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë –Serbi, Miroslav Lajçak nuk kanë të bëjnë me dialogun, por më shumë kanë karakter informues.

“Raporti me shkrim jep informacione në detaje për atë se çfarë është biseduar në Bruksel. Arsyeja e mbajtjes së këtyre takimeve me z. Lajçak, nuk ka të bëjnë me dialogun për arsye se nuk ka pasur dialog, por ka pasur nevojë që ekipi ynë të informohet në detaje për atë se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve në fazën e dialogut”, theksoi Bislimi.

Në anën tjetër anëtarët e komisionit shtruan pyetje për zëvendëskryeministrin Bislimi, duke dhënë edhe qëndrimet e tyre rreth dialogut dhe vizitës në Bruksel.

Më pas, komisioni konstatoi se mbledhja duhet të vazhdojë punimet me dyer të mbyllura për shkak të çështjeve konfidenciale.

Pas shterjes së debatit me dyer të mbyllura, komisioni hapi punimet, duke miratuar fushëveprimtarinë e tij me anë të votës të të gjithë anëtarëve prezentë.

Lidhur me formimin e grupeve të miqësisë me vendet e tjera, komisioni u dakordua që fillimisht të pres propozimet e grupeve parlamentare për anëtarë të këtyre grupeve. 
Fare në fund, anëtarët e komisionit vendosën që në mbledhjen e radhës të ftohet për raportim Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.