Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë

30.11.2021

Përmbushja e agjendës të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) gjatë këtij viti,  si dhe prioritetet e saj për vitin e ardhshëm, ishin disa nga çështjet për të cilat ka raportuar sot në mbledhjen e Komisionit për  Punë të Jashtme dhe Diasporë, ministrja Donika Gërvalla-Schwarz. 

Mbledhja është kryesuar nga kryetari i Komisionit, Haki Abazi, i cili vuri në dukje se raportimi i sotëm i ministres së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarc, është në kuadër të Planit  të punës së Komisionit, ndërkaq, falënderoi ministren për bashkëpunimin e gjertanishëm.  

Gjatë raportimit të saj, ministrja Gërvalla – Schwarc, fillimisht njoftoi për procesin e reformimit të brendshëm të ministrisë, përkatësisht, fuzionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme me atë të Diasporës, për të cilin vlerësoi se është kryer me sukses të plotë. 

Në vijim, ajo sqaroi për agjendën legjislative të Ministrisë, duke vënë theksin në disa projektligje siç është: Ligji për shërbimin e jashtëm,  Projektligji për Protokollin e shtetit si dhe Projektligji për Diasporën. 

Lidhur me këto projektligje, ministrja Gërvalla – Schwarc tha se mbetet përkushtim i mëtejmë i Ministrisë, në mënyrë që këto projektligje të procedohen dhe miratohen në Kuvend. 

Në kuadër të angazhimeve të saja, ministrja nënvizoi bashkëpunimin me pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ndërkaq bëri të ditur se lidhur me këtë është shënuar përparim premtues. 

Ajo, po ashtu foli edhe për bashkëpunimin rajonal, si dhe angazhimet konkrete për anëtarësim në organizata rajonale dhe me gjerë.

Në raportimin e sotëm, ministrja bëri të ditur edhe për procesin e përfaqësimit me ambasadorë të emëruar, si dhe sfidat që e përcjellin Ministrinë për përmbylljen e këtij procesi. 

Në fund të paraqitjes së saj me këtë rast, ministrja  Gërvalla – Schwarc, tha se për përmbushjen e obligimeve dhe agjendës, Ministria që ajo udhëheqë ka plan dhe strategji të qartë, ndërsa kërkoi bashkërendim të aktiviteteve edhe me Komisionin. 

Pas kësaj, deputetët ngritën një varg çështjesh që kishin të bënin me fushë veprimtarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.